



Muaji i Ramazanit, ftesë për pendim…
O njeri! Çfarë fitove duke qëndruar larg Zotit tënd?
Ramazani erdhi, flladi i besimit po fryn dhe mëshira e Allahut
është shumë pranë teje, prandaj kthehu tek Allahu!
Kthehu me vullnet dhe pendim, sa nuk je kthyer i
mbartur mbi supe e i veshur me qefin!
Dera e pendimit është e hapur, hyrja është e lejuar, prandaj
kthehu tek Zoti, që të kënaqet me ty dhe të të falë mëkatet e tua!
Afrohu tek Allahu, që të t`i kthejë të këqijat në të mira dhe të shkruhesh në listën e atyre që Allahu i do:
“Vërtet Allahu i do ata që pendohen.”
(Kuran, El Bekarah 222)




Mëshira e Allahut ka përfshirë gjithçka dhe Ai e shkroi këtë
në librin e Tij: “Mëshira Ime e tejkalon hidhërimin Tim.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
A e ke dëgjuar ndonjëherë këtë ajet, ku Zoti të thërret duke
të thënë: “O robërit e Mi, që i keni bërë vetes keq me gjynahe,
mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Patjetër që
Allahu i fal të gjitha gjynahet! Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Kuran, Zumer 53)
Eja, afrohu tek Allahu, sepse Ai mëshiron dhe fal!
“Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Kuran, Taha 82).




Pendohu nga të këqijat që ke punuar dhe zotohu që kurrë nuk do t`u kthehesh atyre veprave të shëmtuara! Shfrytëzoje këtë muaj për të hapur një faqe të re, mbi të cilën do të shkruash:
O Zot, unë jam penduar!