“Kushdo që e ka bo këtë kom me kall me familje” – deklarata e gruas së biznesmenit që u vra për 30 mijë euro









Biznesmeni Bedri Rexhepi po dyshohet se u vra me 8 prill të vitit 2021 nga dy vëllezërit Nexhat e Jeton Vllasaliu, me të cilët ra në kontakt përmes punës së tij, shit-blerje të veturave. Si dëshmitare e ftuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka qenë edhe bashkëshortja e Bedri Rexhepit, Dardane Shyti, me të cilën po jetonte prej 11 vitesh në Prishtinë. Bashkëshortja e tij ka konfirmuar se Jeton Vllasliu i kishte propozuar Bedriut dy vetura për t’i blerë dhe do të takohej me të. Gazeta Insajderi sjell detajet ekskluzive të rastit.





Bashkëshortja e të ndjerit para prokurorisë është deklaruar tri herë, në muajin prill, maj e qershor. Shyti ka theksuar se burri i saj nuk kishte pasur probleme me askënd.

Shyti para prokurorisë ka përshkruar në detaje se si e kishte nisur ditën bashkëshorti i saj pak orë para vrasjes. Ajo kishte deklaruar se Bedriu, atë ditë kishte qenë shumë i lodhur e i zbehtë në fytyrë.





“…atë ditë më tha jam lodh në shpirt me punë, e kishte fjalë për biznesin e vetë, edhe ka thanë po du me dal veq me kerre të mëdhaja me blerje e shitje se ashtu po shiten ma shumë”, citohet të ketë thënë Dardane Shyti para prokurorisë raporton Gazeta Insajderi.





Bisedën e fundit me bashkëshortin ajo thotë se ka pasur në orët e pasdites së të 8 prillit derisa e kishte njoftuar se do të takohej me Jeton Vllasaliun për të blerë dy vetura.

Ajo kishte konfirmuar se bashkëshorti i saj kishte pasur para me vete, por që se dinte saktë shumën.





“Dardane Shyti në deklaratën e dhënë në Prokurori me datë 22.04.2021 thekson: ” ditën kritike rreth orës 16:00 Bedriu pasi i ka kry do punë më ka thirrë në telefon dhe pastaj ka ardh në banesë..sa ka qenë në banesë e ka thirrë në telefon Almiri dhe unë jam përgjigje se Bedriu ka qenë në banjo. Pastaj Bedriu më ka thënë “po shkoj pe marr Jetonin dhe po shkojmë me të pi marr dy kerre në Ferizaj.





Atë ditë nuk e di saktë ai ka marrë me vete 8040 euro apo 18000 euro sepse paret kanë qenë në banesë. Bedriu ka dalë nga banesa që të shkoj t’i merr kerret por nuk është kthy më. Rreth orës 21:00 i kam shkruar por nuk ma ka kthy, e kam thirrë por nuk mu ka lajmëru”, thuhet në dosjen e siguruar nga Gazeta Insajderi.

Pas kësaj, Dardane Shyti para prokurorit deklaroi se kishte kontakuar njërin nga shokët e bashkëshortit qe e njihnin edhe Jetonin për të kuptuar se ku e ka bashkëshortin.





E përmend me emër, personin me emrin Durim, i cili ato qaste të thirrjes ishte në prani të dyshuarit për vrasje.

Ajo potencon se Jetoni kishte ndërhyrë në telefonatën me Durimin duke i thënë “motra jem mos u bon merak se Bedriun e kem pas vlla e kem pas shok” dhe pas kësaj ajo e revoltuar duke i tingëlluar rëndë kjo shprehje e thënë nga dorasi është shprehur “kushdo që e ka bo kto kom me kall me familje” dhe pas këtyre fjalëve ishte një heshtje që më ka mbet në kokë, deklaroi ajo.





Tentimet e herëpashershme të familjarëve për ta gjetur Bedriun

Në muajin qershor, bashkëshortja e Bedriut, Dardania u deklaruar sërish para prokurorisë. Ajo tha se në prani të saj, motra dhe vëllezërit e Bedriut kishin tentuar që përmes telefonit ta gjenin lokacionin se ku ndodhej vëllai i tyre.





Tri herë ishte tentuar t’i gjendej fjalëkalimi i llogarisë në Icloud (depo e të dhënave personale).

“…Prej që ka ndodh rasti, vëllezërit e Bedrit (Adnani dhe Vedati) edhe motra Teuta Rexhepi ma kanë kërku paswordin e Icloudit edhe unë ju kam tregu që paswordi është i shënuar në fletore dhe pastaj ju kam tregu se cili është paswordi. Unë personalisht nuk kam provu qasjen në Icloud-in përmes emailit dhe paswordit (fjalëkalimin) Icloud-it të telefonit të bashkëshortit tim Bedri Rexhepi pasi nuk di, pasi unë kam telefonin Samsung edhe me Iphone nuk di. Po kanë tentuar vëllezërit (Adnani, Vedati) dhe motra (Teuta) e Bedriut në ditët e para kur ai është zhduk te qasen në email adresën dhe paswordin (fjalëkalimin) e Icloud-it të telefonit të bashkëshortit tim Bedri Rexhepi”.





Bashkëshortja ishte pyetur edhe për atë se a posedonte i ndjeri edhe ndonjë operator tjetër telefonik.

Si provë ajo në Prokurori ka deponuar edhe një letër gjatë një bisede që Bedri Rexhepi kishte pasur me Jeton Vllasaliu për blerjen e dy kerreve, që do të merreshin nga Ferizaj.

“Dardane Shyti në deklaratën e dhënë në Prokurori me datë 05.05.2021 thekson” unë kam qenë duke kërkuar një recetë të mjekut në shtëpi që e ka pas Bedriu në emër të tij, dhe duke e kërkuar atë recetë, hasa në një letër, ku mendoj që kjo letër është shkruar gjatë bisedimit mes Bedriut dhe Jetonit në lidhje me këto dy kerre që Bedriu ka pas me shku me i marrë në Ferizaj. Shkrimi në letër është i Bedriut dhe këtë letër e dorëzoj në Prokurori”, thuhet në aktakuzë.





Nexhat e Jeton Vllasaliu po akuzohen për veprat penale “vrasje e rëndë” e “dëmtim i varrave apo kufomave”.

I ndjeri, Bedri Rexhepi siç ka njoftuar familja do të varroset nesër ( e enjte) në varrezat e qytetit të Shtimes.

Published
Categorized as Lajme