Këta janë dy personat që u arrestuan – e bënë për spital një 22-vjeçar te ‘Hib Petrol’ në Ferizaj

Gazeta Sinjali dje raportoi për një incident që ka ndodhur pas mesnate në afërsi të pompës së derivateve ‘Hib Petrol’ në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku si pasojë e një përleshjeje fizike një person ka përfunduar në spital.

Të dyshuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Por që nuk vonoi shumë dhe Policia u ra në trag dy të rinjve që dyshohet se rrahën keq dy persona.

Sinjali mëson nga burimet e veta se dy të rinjtë që u arrestuan janë 23-vjeçari Lirigzon Mehmeti dhe Florentin Hamza 21-vjeçar.

Mehmeti dhe Hamza dyshohet se me anë të goditjeve i kanë shkaktuar lëndime serioze në kokë një 22-vjeçari, i cili u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdon të trajtohet.

Ndërsa personi tjetër që po ashtu u rrah nga Mehmeti dhe Hamza ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Me urdhër të prokurorit, dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published
Categorized as Lajme