Këta janë dy hajnat e veturave që u arrestuan sot, dyshohet se vodhën mbi 20 automjete / EMRAT

Qytetarët kosovarë ishin në hall nga dy persona të cilët po bënin kërdi me vjedhjen e veturave në të gjitha qytetet e Kosovës. ‘Egjeli’ i veturave u arrit që të arrestohen sot, pas një pune hetimore prej disa muajsh nga Policia e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta brenda Prokurorisë se dy të arrestuarit janë një shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Shefik Nexhipi, 66-vjeçar dhe një shtetas serb, Ceodimit Paunoviç, 56-vjeçar.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se vetëm nga fillimi i qershorit deri në fund të korrikut, janë raportuar pesë raste të vjedhjeve dhe vjedhje në tentativë të veturave.

Nexhipi dhe Paunoviç dyshohet se të gjitha vjedhjet i kanë bërë në bashkëkryerje, ku nga pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, shihet se Paunoviç e shoqëronte Nexhipin deri te vetura që ishte cak për t’u vjedhur, e ai më pas me mjete të modifikuara hapte dhe e merrte veturën.

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në vendbanimet e të dyshuarve, ku janë fjetur dhe sekuestruar pajisjet e modifikuara për vjedhjen e veturave, një veturë, para të gatshme, telefon mobil e rroba të cilat janë përdorur gjatë kryerjes së veprës.

Pas arrestimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti ‘Vjedhje e rëndë’ dhe të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published
Categorized as Lajme