Kosovari – vëllaut të tij: “Në vend pareve, t’i jap 10 pIumba”, kështu nisi ngjarja

Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin. Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Malishevë, ku të përfshirë janë dy vëllezër të cilët kishin bërë marrëveshje për shitblerjen e një prone.

Sinjali mëson se gjithçka ka eskaluar në momentin që 36-vjeçari ka shkuar ta kërkojë borxhin te vëllai i tij më i ri, i cili në prani të prindërve të tyre e kishte kërcënuar atë me vdekje.

I dyshuari me të parë se vëllai i tij i ka shkuar në derë dhe kërkon t’ia paguajë borxhin për pronën, e ka kërcënuar atë duke i thënë se në vend të parave do ia japë 10 pIumba.

I shqetësuar nga fjalët e vëllait, 36-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, të cilët menjëherë janë aktivizuar që ta arrestojnë të dyshuarin, mirëpo i njëjti fillimisht nuk ishte i qasshëm derisa më vonë u paraqit vetë në stacion për intervistim.

Ndërkohë një patrullë e Policisë ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me karikator dhe fishekë.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Published
Categorized as Lajme