10 persona të maskuar parakalojnë në sheshin e Prishtinës, arrestohen nga policia (VIDEO)

Dhjetë persona janë shoqëruar sot në stacionin e Policisë së Kosovës në Prishtinë, pasi që të njëjtit kanë shqetësuar qytetarët në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Personat e lartcekur, kanë ecur nëpër shesh të maskuar duke shkaktuar kështu shqetësim tek qytetarët që ishin duke kaluar aty.

Nga policia kanë thënë se personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba.

“Sot rreth orës 18:00, në shesh në Prishtinë policia ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor 10 persona. Personat në fjalë të cilët me vete kishin dy qenë, kanë parakaluar në sheshet e Prishtinës të maskuar duke ju shkaktuar shqetësim qytetarëve që ishin prezent në atë zonë”, kanë thënë nga policia.

Pas intervistimit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, dhjetë të dyshuarit janë liruar dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Published
Categorized as Lajme