Hajnat hyjnë në shtëpinë e një anëtari të familjes Haradinaj në Gllogjan, vjedhin mijëra euro para, ari e armë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos gjatë sezonit të verës, kur organizohen ahengje me të madhe. Kështu e ka pësuar edhe një anëtar nga familja Haradinaj, në Gllogjan të Deçanit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se para disa ditësh hajnat kanë hyrë me forcë brenda kësaj shtëpie në të cilën nuk ndodhej askush, pasi e gjithë familja kishin shkuar në një dasmë.

Rasti është denoncuar në Polici nga pronari i shtëpisë, i cili ka deklaruar para hetuesve policorë se në shtëpinë e tij i janë vjedhur mijëra euro para të gatshme e stoli ari e para, si dhe armë për të cilat ka poseduar leje.

Pas raportimit të rastit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, me ç’rast janë siguruar edhe kamerat, përmes të cilave do të bëhet identifikimi i të dyshuarit apo të dyshuarve.

Ndërkohë me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarve.

Published
Categorized as Lajme