Detaje nga aksidenti tragjik/ Shoferi që goditi për vdekje 19-vjeçarin, është pjesëtar i FSK-së

Janë zbardhur detaje nga aksidenti tragjik që ndodhi orët e para të ditës së sotme në rrugën ‘Fahri Fazliu’ në kryeqytet, ku si pasojë mori plagë të papërballueshme një 19-vjeçar, ndërsa mbetën të lënduar edhe dy të tjerë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e saj se shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me rrugën, është Venhar Kadriu, 21-vjeçar.

Kadriu i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që po drejtonte, duke goditur kështu dy këmbësorë dhe dy vetura që ishin të parkuara.

19-vjeçari nuk arriti t’u përballonte plagëve të marra, ndërsa 18-vjeçari që po ashtu u aksidentua, ka marrë lëndime të lehta dhe pas tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi.

Ndërkohë Kadriu është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha për Sinjalin se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Published
Categorized as Lajme