Largohen barrikadat e fundit në pikën kufitare në Veri (VIDEO)

Kanë filluar të largohen bllokadat nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat ishin të vendosura që nga mbrëmja e së dielës, nga serbët lokalë të komunave veriore serbe.

Në pikën kufitare të Jarinjës, tashmë janë larguar edhe bllokadat e fundit që ishin të vendosur aty.

Ky veprim vjen pasi Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të shtyhen masat për reciprocitet me Serbinë për cështjen e targave dhe letërnjoftimeve.

Gjatë kohës kur po largohen barikadat, gjendjen kishte dalë ta shohë edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili nuk pranoi të prononcohej për media, madje kolegët e tij afër i kanë larguar mediat e pranishme me forcë.

Kërkesën për shtyrjen e vendimit e ka bërë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Pas konferencës së ambasadorit amerikan, Qeveria e Kosovës, ka bërë të ditur se i ka pezulluar vendimet për reciprocitet për një muaj (1 shtator 2022), me kusht që do të hiqen barrikadat e vendosura në pikat kufitare.

Gjatë ditës së diel, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë sulmuar me armë zjarri nga një grup i serbëve lokalë, por sipas tyre, nuk ka pasur të lënduar.

Ndërkaq, është raportuar për disa qytetarë të cilët kanë pësuar lëndime nga dhuna e ushtruar nga serbët që i kishin bllokuar pikat kufitare.

Published
Categorized as Lajme