Situata në veri: Në rrugë po shihen qytetarë me maska (VIDEO)

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Besim Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është vendosur një bllokadë edhe në Rudarë të Zveçanit, përkatësisht në rrugën magjistrale Prishtinë-Rashkë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica.

Hoti po ashtu tha se bllokada është vendosur edhe në fshatin Zupqë, që gjendet në afërsi të magjistrales Bërnjak-Mitrovicë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.

Barrikada është larguar përkohësisht për kalimin e udhëheqësve të Listës Serbe – partia dominuese e serbëve të Kosovës – të cilët kanë udhëtuar nga Rashka në Mitrovicë.

Në Rashkë ata janë takuar me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Bashkë me zyrtarë të Listës Serbe, edhe disa qytetarë e kanë shfrytëzuar rastin për të hyrë në Kosovë.

Sirenat po dëgjohen vazhdimisht në Mitrovicë të Veriut, që rëndom lëshohen kur ka ndonjë organizim. Hoti nga Policia e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në këtë komunë janë dëgjuar sirena, por ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë më pas.

Ndërkohë është raportuar edhe për një bllokadë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Published
Categorized as Lajme